Komshiu që mbrojti vajzën 12-vjeçare në Fier tregon fjalët që e tronditën: “Babi flinte me mua…”

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në fshatin Sheqisht të Fierit, ku një vajzë 12-vjeçare është gjetur në gjendje të rënduar emocionale nga një banor i zonës, Bahri Mblloshmi.

Në një intervistë për mediat, ai tregoi momentet kur e mitura u shfaq në oborrin e shtëpisë së tij në orët e para të mëngjesit dhe i kërkoi ndihmë. Ai tha se vajza dukej e frikësuar dhe nuk donte të kthehej më në shtëpinë e saj.

“Ishte ora 6:00 kur pashë një fëmijë në ballkon. E pyeta kush ishte dhe më tha se ishte hedhur nga dritarja. Më tregoi se ishte vajzë dhe se babai e kishte qethur. Më kërkoi që të mos e çoja më në shtëpi, tha: ‘Dua një familje tjetër’,” tregoi Mblloshmi.

Ai shtoi se pas kësaj situate shqetësuese, njoftoi menjëherë familjarët dhe më pas u drejtua te kryetari i fshatit për të kërkuar ndihmë nga autoritetet. Sipas tij, policia mbërriti më vonë, ndërsa vajza po kërkohej për shkak të një denoncimi të bërë më parë nga i ati.

“Thirra nuset e djemve, se vajza ishte e trembur. Më pyeti cilën ke vajzë nga këto? I thashë të dyja janë të miat. ‘Sa baba i mirë je’, më tha. Ajo e përsëriste se nuk donte të kthehej në shtëpi.”

Ngjarja vijon të hetohet nga autoritetet, ndërsa institucione të ndryshme janë angazhuar në ofrimin e ndihmës psikosociale për të miturën dhe trajtimin e mëtejshëm të çështjes.

Leave a Comment