Një ngjarje tronditëse ka goditur qytetin e Patosit dhe gjithë opinionin publik shqiptar. Një 36-vjeçar u arrestua pasi dyshohet se ka kryer veprime të papranueshme ndaj vajzës së tij 12-vjeçare. Ngjarja u denoncua nga vetë e mitura, e cila foli në prani të një psikologeje në komisariatin e Fierit.
Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, nëna e vajzës ka rrëfyer mes lotësh se nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur. Ajo tha se gjithçka e mësoi në komisariat, pas ndërhyrjes së fqinjëve dhe shoqërimit të të bijës nga policia.
“Më ra si bombë. Vajza tregonte që ‘babai më prekte dhe më kapte’. Para syve të mi nuk ka ndodhur asgjë. Në komisariat i dëgjova të gjitha dhe u trondita. I thashë: ‘Pse ma bëre këtë? Të kam dhënë 7 yje, 7 fëmijë!’” – u shpreh nëna.
Ajo gjithashtu tregoi se burri punonte gjithë ditën jashtë dhe nuk kishte pasur asnjë dyshim, ndërsa fëmijët i kishte mashtruar duke u thënë se babai ishte larguar për punë në Gjermani.
Nëna e të miturës kërkoi dënimin maksimal për bashkëshortin dhe apeloi për ndihmë nga institucionet:
“Po ta kisha ditur, do e kisha ndëshkuar vetë. Jam nënë me 6 fëmijë të tjerë, nuk kam strehë e as të ardhura. Shteti të më ndihmojë, të më japë një mundësi për të ecur përpara me fëmijët.”