“Më ra si bombë…” – Nëna e vajzës 12-vjeçare rrëfen për rastin tronditës të abuzimit në Fier (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Fier, ku një 36-vjeçar nga zona e Patosit është arrestuar nën dyshimin për abuzim të përsëritur ndaj vajzës së tij të mitur, vetëm 12 vjeç.

Sipas të dhënave zyrtare, ndalimi i tij u bë pas kallëzimit të vetë të miturës, e cila në prani të një psikologeje ka treguar për një histori të rëndë abuzimi që sipas saj ka nisur që në moshën 5-vjeçare. Vajza u paraqit në Komisariatin e Fierit pas ndihmës së një fqinji, ndërsa aktualisht ndodhet në mbrojtje në një qendër rehabilitimi në Tiranë.

Në një intervistë për mediat, nëna e të miturës – bashkëshortja e të arrestuarit – ka folur e tronditur për momentin kur mësoi të vërtetën:

“Vajza nuk më kishte treguar kurrë më parë. E mora vesh gjithçka në polici. Më ra si bombë… Ishte në depresion, ishte larguar nga shtëpia pa lënë gjurmë dhe e gjetën te një komshi. Atje ka rrëfyer gjithçka që kishte kaluar.”

Gruaja thotë se kishte vite që përpiqej të kuptonte sjelljen e vajzës, por nuk kishte arritur të dyshonte për një ngjarje të tillë. Ajo kërkon ndihmë për fëmijët e tjerë dhe strehim, pasi ndodhet në një situatë shumë të vështirë ekonomike.

“Kam 7 fëmijë, nuk kam as të ardhura, as strehë. E vetmja gjë që dua tani është drejtësi për vajzën time.”

I arrestuari Z. M. (emër i redaktuar), ka pranuar pjesërisht akuzat, por hetimet janë në vazhdim dhe ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda që do të trajtohen nga Prokuroria pranë Gjykatës së Fierit.

Leave a Comment