Pamje tronditëse, policia rreh brutalisht një qytetar në oborrin e shtëpisë në Klinë

Një rast i dhunës policore është regjistruar në Klinë, ku tre zyrtarë policorë shihen duke e rrahur një qytetar në oborrin e shtëpisë së tij.

Pamjet e incidentit janë siguruar nga Insajderi dhe tregojnë momentin kur zyrtarët policorë ndërhyjnë fizikisht ndaj qytetari.

Nga pamjet shihet se dy prej zyrtarëve policorë e mbajnë teksa tjetri e godet.

Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar dje se tre zyrtarë policorë të Kosovës janë suspenduar.

Të njëjtit u suspenduan për shkak të të dyshimeve për përdorim të forcës së tepruar.

Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së kurse incidenti ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarët policorë raportohet të ketë ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari.

“Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

“Në bazë të kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin ndaj tre zyrtarëve policorë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”.

Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…

Leave a Comment