Një episod i pazakontë dhe emocional u transmetua këtë të mërkurë në emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, ku një histori dashurie e lindur në rrethana të jashtëzakonshme u kurorëzua me një propozim martese live.
Teuta, një 26-vjeçare me një të kaluar të vështirë si ish-punonjëse s–si, u surprizua në studio nga Olsi, një 24-vjeçar që dikur ishte klient i saj – e sot, partneri i jetës. Ai mbërriti papritur në studio, u ul në gjunjë dhe i kërkoi dorën për martesë, në një moment që solli lot gëzimi dhe përqafime të sinqerta mes të dyve.
Historia e Teutës kujton filmin “Pretty Woman”: një grua e dhunuar nga ish-bashkëshorti, e detyruar të largohet shtatzënë dhe të përballet me realitetin brutal të jetës në rrugë, gjeti dashurinë dhe shpëtimin pikërisht aty ku nuk e priste.
Gjatë bisedës me gazetaren Odeta Dume, ajo rrëfeu se jeton me djalin e saj të dytë dhe me Olsin, i cili jo vetëm e ka ndihmuar të dalë nga jeta që bënte, por e ka mbështetur dhe qëndruar pranë në momentet më të errëta.
“Ka qenë klienti im. Ai më ndihmoi të largohem nga kjo rrugë. Më ka qëndruar gjithmonë pranë,” tregoi Teuta me emocione. Kur gazetarja e pyeti nëse ai e kishte propozuar për martesë, Teuta u përgjigj: “Jo akoma… por unë e dua shumë.”
Pikërisht në atë moment, Olsi hyri në studio me një unazë në dorë, e përqafoi fort dhe tha: “Mos qaj, më ke mua.” Më pas i bëri pyetjen që çdo grua ëndërron ta dëgjojë: “Do të martohesh me mua?”
“Po dhe vetëm po!” u përgjigj Teuta mes lotëve, teksa pranoi buqetën me lule dhe i hodhi sytë nga burri që e kishte dashur pa paragjykim.
Ajo kishte ardhur në emision për të kërkuar kontakt me vajzën e saj 3-vjeçare, të cilën nuk e ka parë që prej momentit kur u largua nga ish-burri i dhunshëm, shtatzënë dhe e tmerruar për të ardhmen. Me lot në sy dhe zërin që i dridhej nga emocionet, ajo dërgoi një mesazh prekës për të bijën:
“Pasi u dhunova për të disatën herë, vendosa të iki. Nuk i harroj sytë e saj të mbushur me lot. Isha në muajin e tetë të shtatzënisë, nuk e mora dot me vete sepse nuk dija ku do shkoja. Pas lindjes, për të mbajtur djalin, dola në rrugë për të gjetur klientë. Ata vinin kur ai flinte. Sot nuk më lejojnë ta shoh apo t’i flas. Bija ime, më mungon shumë. Të dua.”
Një histori që përshkon errësirën e dhunës dhe varfërisë, por që sot dha një rreze shprese dhe dashurie të pastër. Një propozim që nuk ndryshoi vetëm jetën e Teutës, por edhe preku mijëra zemra që e ndoqën këtë moment të paharrueshëm në ekran.